Komunikatë për media nga Sindikata e Policisë
  1. Prishtinë më 11.04.2018

Komunikatë për media nga Sindikata e Policisë

Këshilli Drejtues i Sindikates të Policisë së Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 11.04.2018 mori vendim që të gjitha mediave në Republiken e Kosovës t`u drejtohet me këtë komunikatë. Duke pas parasysh se ditëve të fundit janë përshpejtuar ecuritë e procedurve të shqyrtimit dhe aprovimit të Projekt Ligjit për nivelizimin e pagave kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës të mbështet dhe aprovon propozimet nga dokumenti i përbashkët i menaxhmentit të Policisë të Republikës së Kosovës dhe Sindikatës të Policisë së Kosovës (Komentet nga Policia e Kosovës në Draft Ligjin për pagat që realizohen nga buxheti i Republikës së Kosovës). Në këtë dokument komisioni i përbashkët i menaxhmentit të Policisë dhe Sindikates të Policisë së Kosovës kanë punuar një periudhë të gjatë kohore në mënyrë profesionale dhe e kanë hartuar këtë dokument që i është dërguar qeverisë dhe dikastereve kompetente qeveritare. Grupi i punës gjatë punës dhe hartimit të këtij dokumenti me sqarimet përcjellëse që përmban dokumenti janë përpjekur që mos të dëmtohen interesat e punonjësve të Policisë së Kosovës dhe të jenë të barabartë me dikasteret e tjera të sigurisë në vendin tonë, siç është FSK-ja, jo më shumë, por jo edhe më pak, duke marr parasysh punën dhe përgjegjësitë që ka Policia e Kosovës në zbatimin e detyrave konform Kushtetutës të Republikës së Kosovës, Ligjit të Policisë dhe ligjeve tjera, për të mbrojtur integritetin territorial, sovranitetin e vendit, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, si dhe zbatimin e vendimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Duke pas parasysh se kjo çështje është tashmë aktuale me përpjekje që sa më shpejt të aprovohet, te punonjësit e Policisë së Kosovës ka shqetësime se çfarë do të ndodh me pagat e tyre. Andaj kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës të aprovoj propozimet e PK-së dhe SPK-së që janë në dokumentin e theksuar më lartë, në të kundëten paknaqësitë do të shtohen dhe Sindikata e Policisë do të ndërmerr hapa tjerë sindikal në këtë drejtim
Me datë 05.02.2018 Qeverisë së Republikes së Kosovës ju kemi drejtuar me shkresën Nr.01-04/2018 me të cilën për punonjësit e Policisë kemi kërkuar gjetjen e mundësive për zgjidhjen e çështjes më jetike për punonjësit e Policisë së Kosovës e që është sigurimi alternativ shëndetësor dhe jetësor. Mirëpo, akoma nuk patëm asnjë përgjigje nga qeveria, edhe pse e dine Qeveria e Republikës së Kosovës dhe mbarë opinoni publik se Policia e Kosovës është policia e vetme në rajon dhe në botë, e cila nuk ka sigurim shëndetësor dhe jetësor. Këtë çështje që nga themelimi i Sindikates të Policisë së Kosovës e kemi shtruar si çështjen më prioritare për punonjësit e Policisë së Kosovës. Policia e Kosovës është institucioni më i rrezikuar në shoqëri. Këtë e argumenton fakti se që nga themelimi i Policisë së Kosovës deri më tani kemi 17 raste të vdekjes në kryerje të detyrës, ndërsa numri i të lënduarve gjatë gjithë kësaj kohe është i madh dhe si pasojë në mesin tonë kemi zyrtar policor që ka mbet invalid i përhershëm.
Prandaj, Sindikata e Policisë, kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës në një afat sa më të shkurtë t`u jep epilog këtyre dy çështjeve jetike për punonjësit e Policisë së Kosovës.

Këshilli Drejtues i SPK-së
Valbona Kamberi, Kryetare