Kryesia Ekzekutive e Sindikatës së Policisë së Kosovës mori pjesë aktive në Kongresin e 12-të të CESP, ku u zgjodh kryesia e re për mandatin e ardhshëm.
Urime Presidentit Massimo Denarier dhe Sekretarit të Përgjithshëm Cosmin Andreica për zgjedhjen në krye të CESP, me dëshirën për suksese në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet sindikatave policore evropiane dhe mbrojtjen e të drejtave të zyrtarëve policorë në të gjithë kontinentin.
Një falënderim i veçantë i drejtohet ish-kryesisë së CESP për kontributin e çmuar dhe përkushtimin e treguar në zhvillimin e sindikalizmit policor evropian.
Në kuadër të këtij Kongresi u organizua edhe një trajnim profesional nga Instituti Ndërrajonal i Kombeve të Bashkuara për Kërkime mbi Krimin dhe Drejtësinë (UNICRI), përmes Qendrës për Inteligjencë Artificiale dhe Robotikë, me temë:
“Trajnimi i IA-së për Fëmijë më të Sigurt: Shfrytëzimi i Inteligjencës Artificiale në hetimet për të luftuar shfrytëzimin dhe abuzimin seksual të fëmijëve.”
Në këtë trajnim morën pjesë përfaqësues të Policisë së Kosovës.
Pjesëmarrja dhe anëtarësimi i Sindikatës së Policisë së Kosovës në CESP ka rëndësi të veçantë, pasi e vendos zërin e policëve të Kosovës në tryezat evropiane, forcon bashkëpunimin me sindikatat partnere dhe siguron përfshirjen e SPK në proceset ndërkombëtare që ndikojnë drejtpërdrejt në të drejtat dhe mirëqenien e zyrtarëve policorë.
Gjatë kongresit, Kryesia Ekzekutive e SPK zhvilloi takime të rëndësishme me përfaqësues të vendeve anëtare, duke adresuar çështje që lidhen me përmirësimin e kushteve të punës dhe fuqizimin e rolit sindikal.
Sindikata e Policisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në përfaqësimin dinjitoz të policëve të Kosovës në nivel evropian.











