Sot, në zyrat e Sindikatës së Policisë së Kosovës, u zhvillua një takim lidhur me shqetësimin e ngritur nga bashkëshortja e rreshterit të rënë në detyrë, Shemsi Gashi. Në takim morën pjesë përfaqësues të Sindikatës së Policisë së Kosovës, përfaqësues të Policisë së Lagjes, si dhe bashkëshortja e rreshterit të ndjerë, e cila ka paraqitur pretendime se nuk është duke i realizuar të drejtat dhe përfitimet që i takojnë sipas legjislacionit në fuqi.
Gjatë takimit u diskutuan hapat që do të ndërmerren për adresimin e kësaj çështjeje pranë institucioneve përgjegjëse.
Në kuadër të angazhimit për zgjidhjen e këtij rasti, më 23.07.2026, përfaqësues të Sindikatës së Policisë së Kosovës, së bashku me bashkëshorten e rreshterit të ndjerë, do të zhvillojnë një takim me Drejtorin e Financave në Policinë e Kosovës, me qëllim të shqyrtimit të rastit dhe sigurimit të zbatimit të të drejtave dhe përfitimeve që i takojnë familjes së zyrtarit policor të rënë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Sindikata e Policisë së Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të zyrtarëve policorë, pensionistëve dhe familjeve të zyrtarëve policorë të rënë në detyrë, duke kërkuar që të drejtat e garantuara me ligj të respektohen dhe të zbatohen në tërësi.